Klasifikojmë rrobat tona

Materialet dhe mjetet: figura të veshjeve të ndryshme, veshje të ndryshme, pe ose litar ose tel, një grusht me kapëse rrobash.

Zhvillimi i aktivitetit: Angazhimi i fëmijëve në punët e shtëpisë është shumë argëtues për ta dhe përmes kësaj ata luajnë,  kënaqen e mësojnë  shkathtësi dhe përgjegjësi.

Sot kthejeni përmbys një karrige dhe vendosni një litar, ose tel ose pe të trashë rreth e qark këmbëve të karriges, ose gjeni një hapësirë ku fëmija juaj të mund të varë rrobat në tel.

Për secilën anë të karriges, kërkoni nga fëmija që të varë në tel rrobat sipas stinëve. Ju mund të kërkoni që fëmija t’i varë edhe rrobat sipas funksionit ditor, për shembull: rrobat e gjumit në një tel, rrobat për të luajtur jashtë në një tel tjetër, rrobat që veshim kur dalim shëtitje i varim në një tel tjetër, rrobat me të cilat rrimë në shtëpi … e kështu me radhë. Lejojeni të klasifikojë rrobat sipas ideve që ka vetë fëmija dhe mos e ndihmoni në vendosjen e kapëseve të rrobave.