Kartolina
Zhvillimi i aktivitetit: Bisedoni me fëmijën për një anëtar të familjes të cilin fëmija juaj e do shumë. Mund të jetë babai, nëna, gjyshi/gjyshja, etj. Përshkruani shkurtimisht lidhjen e fëmijës më anëtarin e caktuar të familjes. Për shembull: “ti e do gjyshin shumë dhe gjyshi të do ty shumë. Gjyshi të tregon përralla, luan me ty, e të merr në shëtitje”. Pyesni fëmijën nëse dëshiron t’ia bëjë një dhuratë gjyshit. Dhe mendoni së bashku se çfarë dhurate mund t’i bëni. Pyesni fëmijën nëse dëshiron t’ia bëjë një kartolinë.
Ofroni fëmijës materiale të ndryshme që mund të keni në shtëpi (letër, ngjitës, xixa, rruaza, etj.) ose thjeshtë vetëm letër dhe laps apo ngjyrë. Lejojeni fëmijën që ta bëjë kartolinën sipas dëshirës së vet. Natyrisht, nëse fëmija juaj nuk e ka dëgjuar më përpara fjalën kartolinë, tregoni çfarë është ajo, ose thuani ta bëjë një letër me disa vizatime për t’i treguar gjyshit sa shumë e duam.
Kur ta takoni gjyshin, apo cilindo anëtar tjetër të familjes që fëmija e ka zgjedhur, jepjani kartolinën e punuar nga fëmija.