Materialet e nevojshme: Ambient i lirë pa tavolina dhe ndalesa
Zhvillimi i aktivitetit: Fëmijët e duan shumë vrapimin, por kësaj radhe do t’i japim një mundësi tjetër atyre, gjegjësisht të vrapojnë prapa por të mbajnë cakun e duhur pa shikuar prapa. Se si ndodh kjo, rrini duke përcjellë udhëzimet. Në korridorin e shtëpisë suaj apo banesës suaj gjeni një hapësirë për këtë lojë ku nuk ka gjëra ku mund të vritet fëmija gjatë lojës. Më pas vendosni 2 ose 3 shishe të mbushura me ujë dhe radhitni në fund të korridorit. Fëmija ka për detyrë të shkojë t’i marr shishet në fund të korridorit, por duke ecur me shpinë të kthyer pa shikuar, por vetëm duke u udhëhequr nga balanca, kujtesa e formës së korridorit dhe kështu do të përcillet me shumë të qeshura dhe hare. Pasi e merr një shishe e ka për detyrë të ecë drejtë dhe ta dërgojë deri te fillimi i korridorit përsëri. Modeloni në fillim një gjë të tillë për fëmijët pasi do të jetë më atraktive për ata dhe më e qartë që nga fillimi. Ideja bazike e lojës është ta nxisim përqendrimin te fëmijët dhe motoriken fine po ashtu. Ndër gjërat kryesore që kjo lojë nxit është ndryshimi i hartave standarde të lojërave, kësaj radhe ju po provoni diçka më ndryshe dhe po i jepni hapësirë fëmijës suaj për kreativitet.