Ushqejmë zogjtë
Materialet dhe mjetet: fetë buke, gjalpë, fara, fije peri.
Zhvillimi i aktivitetit: Kërkoni nga fëmija të mendojë për natyrën gjersa ju bëni ushqim për zogjtë jashtë. Ky aktivitet, pos që është argëtues, ndihmon gjithashtu në zhvillimin e muskujve motorikë të vegjël.
Preni një fetë buke dhe merrni pak gjalpë ose xhem dhe disa lloje farave të ndryshme dhe vendosini përpara fëmijës. Fillimisht tregoni fëmijës se si të përdorë thikën apo lugën plastike për të lyer fetën e bukës me gjalpë.
Kujtojani fëmijës që këtë ushqim jeni duke e përgatitur për të zogjtë jashtë. Qëndroni afër fëmijës në mënyrë që të shmangni ndonjë incident. Fëmijët më të vegjël mund të mos jenë në gjendje ta lyejnë të tërë fetën e bukës me gjalpë, por kjo nuk është problem. Tregoni fëmijës që tani do t’i vendosin farat mbi gjalpë. Kërkojini fëmijës që t’i kapë farat me duar dhe t’i shpërndajë ato përmbi gjalpë në fetën e bukës. Kjo është mënyrë e shkëlqyeshme për t’i forcuar aftësitë motorike të vogla!
Kur të keni mbaruar, lidhni një fije peri për fetën e bukës në mënyrë që ta varni jashtë. Nëse është e mundur, vareni atë afër një dritareje në mënyrë që fëmijët të mund ta vëzhgojnë atë nga brenda shtëpisë dhe t’i shikojnë zogjtë kur të vijnë për t’u ushqyer.