Hëna në pikturën time
Materialet dhe mjetet: Letër me ngjyrë të zezë, foli alumini, ngjyra të ujit, brushë, monedha metalike me madhësi të ndryshme etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën duke e pyetur: Si duket hëna? Çfarë forme ka? Pse e shohim me forma të ndryshme? Kur e shohim atë? etj.
Merret foli alumini dhe përmes një pjate vizatohet forma rrethore. Me kujdes pritet me gërshërë. Monedha me madhësi të ndryshme vendosen nën folinë e aluminit të prerë dhe shtypen me gishtërinj lehtë që të stampohet forma e monedhës. Në fletën me ngjyrë të zezë vizatohen tre rrathë nga prindi, të cilat më pas fëmija do t’i ngjyrosë me brushë, rrethin e jashtëm me ngjyrë të kaltër të mbyllur, rrethin e brendshëm me ngjyrë të bardhë dhe për rrethin e mesëm përzihen dy ngjyrat në paletë (të bardhën dhe të kaltrën e mbyllur për të fituar ngjyrën e kaltër të çelët). Me brushë spërkatet me ngjyrë të bardhë dhe të verdhë për t’i paraqitur yjet.