Thurje me letër

Materialet dhe mjetet: letra me ngjyra të ndryshme, gërshërë, një laps dhe një vizore për të bërë këtë pjesë arti dinamik.

Zhvillimi i aktivitetit: Sigurohuni që së bashku me fëmijën të zgjidhni një kënd në shtëpi që do t’i shërbejë si një vend për t’i ekspozuar punimet që do t’i zhvillojë gjatë kësaj jave. Mund të përdorni edhe ndonjë çarçaf të cilin e vendosni në mur dhe fëmija mund t’i vendosë aty punimet. Në krye të vendit apo materialit që po përdorni vendosni titullin “Kosova ime”.

Aktiviteti i sotëm lidhet me një nga traditat tona familjare, që është endja apo thurja. Gjyshet tona kanë endur veshjet kombëtare, por edhe sixhadetë dhe qilimat e leshit. Që fëmija ta kuptojë një nga traditat tona, sot i tregoni fëmijës se si janë thurur qilimat në të kaluarën. Për ta ilustruar këtë, mblidhni së bashku me fëmijën revista apo gazeta të vjetra. Mund të përdorni edhe letra me ngjyra të ndryshme. Për t’i bërë shiritat e letrës ju nevojitet edhe ngjitës. Letrën e rrotulloni në formë tubi dhe e ngjitni fundin me pak brumë të përgatitur me miell dhe ujë, që ju shërben si ngjitës. Pasi të keni bërë një sasi të caktuar të tyre, kërkoni nga fëmija që me ndihmën tuaj të bëni thurjen e tyre si në figurën e bashkëngjitur. Fëmija mund ta ngjyrosë këtë qilim me ngjyrat që i pëlqejnë më së shumti.