Format gjeometrike në trupin tim
Për këtë aktivitet do t’ju nevojiten disa forma gjeometrike me letra me ngjyra sikur në foto. Në një letër tjetër më të madhe ose në dysheme bëni konturat (format) e trupit të fëmijës; ju duhet po ashtu edhe një karton në të cilin janë të prera format gjeometrike.
– Bashkë me fëmijën vendosini format e prera në vendin ku fëmijët mendojnë se përshtaten më shumë
– Lejojini të gabojnë e të provojnë disa herë deri sa ta vendosin formën në vendin e duhur.
– Gjatë vendosjes së formave, kërkoni që t’jua tregojë vendin ku po e vendos [pjesën e trupit] dhe formën gjeometrike. Mësojuani fëmijëve emrat e pjesëve të trupit dhe emrat e formave gjeometrike dhe le t’i përsërisin ato disa herë.
– Pasi fëmijët ta kenë përsëritur disa herë lojën, ju mund ta luani pjesën tjetër të saj.
– Në kartonin me format e prera kërkojini fëmijës që t’i vendosë format gjeometrike që përshtaten me formën në karton.
– Mund të vendosni edhe letra me forma gjeometrike në dysheme dhe fëmija shkon tek forma që ju ia kërkoni.
– Mund po ashtu të kërkoni nga fëmija që t’i klasifikojë sipas formës tasat e plastikës që i keni në shtëpi.