Foleja
Materialet dhe mjetet: një kuti e zbrazur qumështi apo lëngu, misër, thërrmija buke, pulla, drunj, gërshërë.
Zhvillimi i aktivitetit: Vjeshta dhe pranvera janë kohëra interesante për të mësuar në lidhje me zogjtë. Ne mund të argëtohemi këtë ditë duke bërë një fole për zogjtë. Bashkë me fëmijën zgjidhni një kuti bosh. Me ndihmën tuaj fëmija vizaton derën e folesë. Me kujdes e prisni me gërshërë. Mund ta ngjyrosni kutinë, ose mund ta lini ashtu siç është.Nëse keni ngjyra mund të kërkoni nga fëmija që ta ngjyrosë me ngjyrën që i pëlqen më shumë.
Ju mund ta zbukuroni kutinë me pullat që i keni mbledhur nga rrobat e vjetra, ose sipas dëshirës së fëmijës mund të vendosni forma apo numra.Teksa fëmija e punon folenë, flisni me të çfarë di për zogjtë, sidomos lidhur me atë se çfarë ndodh tani që gjethet bien dhe moti bëhet më i ftohtë. Pyeteni gjithashtu se me çfarë ushqehen zogjtë. Ndihmojeni fëmijën në gjërat që nuk i di. Bashkëbisedoni me fëmijën për dobitë që vijnë nga zogjtë në mënyrë që të motivohet edhe më shumë që ta ndërtojë folenë.
Për ta ndërtuar folenë mund të përdorni edhe kuti të drurit apo plastikës. Kur të ketë përfunduar foleja, udhëzojeni fëmijën që ta mbushë me misër apo thërrmija buke. Së bashku e vendosni folenë në një vend që mendoni se mund të vizitohet nga zogjtë. Në oborr në ndonjë pemë, në ballkon, ose mund ta vendosni në një pemë në rrugë apo mjediset afër shtëpisë apo banesës.
Është mirë që fëmija të jetë në gjendje ta vëzhgojë folenë në mënyrë që t’i gëzohet momentit kur mund të vijnë zogjtë.
Në fund, me fëmijën mësoni vjershën “Zana dhe zogu”.