Shtëpia e preferuar

 

E kush nuk i ka qejf kafshët?!  Fëmijët kanë shumë dëshirë të kujdesen për to.

Sot ju mund të flisni me ta për kafshët dhe t’i pyesni se ku jetojnë, sa jetojnë, cilat prej tyre janë miq të njeriut dhe cilat prej tyre janë kafshë të egra.

Pyeteni fëmijën tuaj cila është kafsha e tij/saj e preferuar dhe nëse dëshiron që sot t’a bëjë një shtëpi për atë kafshë. Caktoni së bashku se çfarë ju duhet…..kuti e qumështit, kosit, jogurtit apo kuti të tjera kartoni apo çdo material tjetër që mund të përdoret për ta ndërtuar një shtëpi për kafshën ose lodrën e preferuar të fëmijës.

Pyeteni se si do ta ndërtojë atë. Lejojeni që shtëpizën ta ndërtojë ai/ajo, e jo ju. Mos harroni ju jeni mjeshtri i dytë sot….mjeshtri i parë është fëmija juaj. Le ta ngjyrosë nëse dëshiron.

Le ta mbulojë me ndonjë çarçaf të vjetër. Le ta vizatojë si të dojë.Le ta zbukurojë ashtu siç mendon që do të jetë më së miri.Ndihmojeni atë kur u kërkon ndihmë dhe përgëzojeni herë pas here. 

Aktiviteti zgjat deri sa të përfundojë shtëpia.Vendoseni shtëpinë e kafshës/lodrës së preferuar në një vend të dukshëm në dhomën ku rrini.Loja zhvillon koordinimin, kreativitetin, punën në grup, dashurinë dhe kujdesin për kafshët.