Materialet e nevojshme: kub, letra, ngjitës, ngjyra

Aktiviteti: Të mësuarit e emocioneve luan një rol kyç në realizimin e kapaciteteve sociale dhe emocionale tek fëmijët. Lojërat gjithmonë do t’u mundësojnë fëmijëve një të mësuar më të mirë. Atëherë, ajo që mund të bëni në këtë aktivitet është që të merrni një kub dhe në të gjithë pjesët e tij të vendosni me ngjitës letre fleta të printuara me emocione të ndryshme. Si do të funksionojë loja: Duke u bërë 3-4 fëmijë apo edhe anëtarë të familjes, të bëjmë me radhë gjuajtjen e kubit. Varësisht se cili emocion do të bie përpara, fëmija duhet të bëjë të njëjtat shprehje fytyre. Pastaj do të ndërrohen rolet, secili do të modelojë të gjitha emocionet. Përsëriteni lojën 2-3 herë, sepse përveç zhvillimit të aftësisë emocionale, fëmijët do të mësojnë të presin radhën, pra të kuptojnë rregullat e mirësjelljes, do të bëhen empatik dhe social.