Rezultati i pritur: Fëmija shpreh emocionet në situatat kur ka thënë ndonjë gënjeshtër apo kur ka shikuar ndonjë film që ka gjëra dhe ngjarje jo të vërteta. 

Materialet dhe mjetet: pjata prej letre (letra të bardha, letra kartoni), shkopinj druri, laps, ngjyra, gërshërë, ngjitës etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se ç’kupton me fjalët “e vërtetë dhe  gënjeshtër”? Pyeteni se çfarë kupton me këto fjalë. Si është ndier kur ka thënë ndonjëherë ndonjë gënjeshtër? Pyeteni për ndonjë film vizatimor të parapëlqyer të tij/saj se çka ka të vërtetë dhe çka ka të gënjeshtërt? P.sh. a mund të fluturojnë fëmijët? A mund të qëndrohet mbi re? A mund të flasin kafshët? 

Shpjegojani se këto janë vetëm histori argëtuese, nuk janë reale. Reale janë ato që i shohim në të vërtetë. E po ashtu edhe fëmijët duhet thënë gjithmonë të vërtetën.

Merren dy pjata të letrës apo, në mungesë, edhe dy letra kartoni të cilat prehen në formë rrethore. Në mes vizatohen apo ngjiten shenjat e veçanta për fjalët “e vërtetë-gënjeshtër”.

Prindi apo kujdestari jep shembuj për fjalët “e vërtetë-gënjeshtër” dhe fëmija ngrit shenjën lart për të treguar nëse është ashtu apo jo. 

P.sh., “unë jam i/e shpejtë si era, dielli është i zjarrtë, doktor ariu e shëroi lepurushin” etj. Loja vazhdon duke i ndërruar rolet.