Dhëmbët e shëndoshë
Materialet dhe mjetet: plastelinë e kuqe (miell, vaj, ngjyrë uji e kuqe, kripë), fasule, letër.
Zhvillimi i aktivitetit: Luhet loja “Te dentisti/-ja”. Fëmija zgjedh se cilin rol do ta luajë së pari.
Rrjedha e bisedës gjatë lojës bëhet sipas dëshirës së fëmijës duke i caktuar edhe skenarin dhe mjetet që i përzgjedh për lojë. Vetëm në ndërrimin e roleve prindi apo kujdestari/-ja ligjor/e plotëson me fjalë, veprime dhe këshilla të nevojshme.
P.sh., nëse prindi apo kujdestari/-ja ligjor/e është në rolin e pacientit, vendos dorën në faqe dhe bën sikur ka dhimbje të madhe duke përshtatur mimikën për dhimbjen e madhe të dhëmbit. “Më duhet patjetër të vizitohem te dentisti/-ja, nuk mund ta duroj dhimbjen”……
Pas lojës punohen dhëmbët nga fasulja dhe plastelina. Në mungesë të plastelinës mund të bëhet plastelinë në kushte shtëpie. Në mungesë të plastelinës mund edhe të vizatohet goja dhe dhëmbët ku më pas me ngjitës do të ngjiten fasulet. Vizatohen apo punohen dy punime dhëmbësh. Një modelim i dhëmbëve të shëndetshëm dhe një modelim i dhëmbëve të prishur.
Flisni me fëmijën se si duhet pastruar dhëmbët. Dhëmbët në pjesën e sipërme i pastrojmë duke imituar rënien e shiut nga lart-poshtë, dhe dhëmbët e poshtëm pastrohen duke imituar rritjen e barit nga poshtë-lart.