Deti në shtëpi

Fillojeni ditën sot duke biseduar për pushimet dhe detin.  Nëse jeni afër tij, ecni bashkë me fëmijën buzë detit dhe lejojeni të vrapojë, te ecë duke futur këmbët në ujë, të mbledhë guaska apo të vizatojë me ndonjë shkop në rërën e lagur.

Nëse jeni në shtëpi/banesë, ‘krijojeni’ së bashku me fëmijën detin në shtëpi.

Ju mund të mbushni vaskën apo një legen të madh me ujë dhe në të të hidhni disa pika ngjyrë të kaltër. Hidhni brenda ‘detit’ peshq të vegjël apo kapakë të shisheve apo yje deti apo qese plastike. Jepini fëmijës një kullojë në dorë dhe i tregoni se duhet të pastrojë detin nga mbeturinat që i kemi hedhur në të. Fëmija i numëron sendet që i nxjerr nga deti dhe në fund plaquritet në të. Pas kësaj, tregoni fëmijës një përrallë apo tregim me detin.

Ju mund të bëni edhe një ‘det’ me plastelinën si brumë [tashmë e keni recetën]. Me disa pika ngjyre të kaltër, plastelina është deti për sot. Fshihni në të objekte të vogla dhe lejojeni fëmijën t’i gjejë ato. Me plastelinë, fëmija mund të krijojë detin dhe forma të ndryshme të detit.

Bashkë me fëmijën ju mund të krijoni edhe ‘fundin e detit’ në murin e dhomës ku fëmija juaj fle. Ju mjaftojnë disa letra me ngjyrë të kaltër dhe disa figura të kafshëve që jetojnë në det. Letrat i përdridhini dhe i ngjitni në mur në lartësi të ndryshme. Lejojeni fëmijën t’i ngjitë në mur, të fshehura pas letrave, kafshët e vogla të detit.