Një buqetë me lule

Materialet dhe mjetet: letër për vizatim, laps, ngjyra temper, kordele etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën duke e pyetur: çfarë feste është 8 Marsi? Kush e feston? Si festohet? etj.

Merret një letër vizatimi e bardhë, apo mund të jetë edhe letër më e trashë por e bardhë. Në një pjatë të sheshtë hedhen ngjyrat temper të përzgjedhura nga fëmija. Në fletën e vizatimit vizatohen bishtat e luleve, njëherësh me pëllëmbën e fëmijës matet hapësira e letrës se sa gjurmë duarsh mund të vendosen. Me brushë ngjyrosen bishtat e luleve dhe lihen të thahen. Në fillim përzgjidhet vetëm një ngjyrë, që të ruhet pastërtia e ngjyrave. Fëmija zhyt dorën në ngjyrë duke u kujdesur që e gjithë sipërfaqja e dorës të ketë ngjyrë dhe më pas mbi fletën e vizaitmit shtyp dorën për të vendosur gjurmën e dorës. Pastrohet dora dhe pjata për ngjyrën tjetër. Pas vendosjes së gjurmëve, buqeta e luleve mund të zbukurohet edhe duke e dekoruar me kordele sipas dëshirës.

Pyeteni fëmijën se çfarë do t’i thotë nënës kur t’ia dhurojë lulet.

 

 

 

 

 

 

 

Sipas dëshirës së fëmijës mund të mësohet poezia

Urime Festën e 8 Marsit

Sot nga zemra ime burojnë shumë urime / Për më të dashurën nënën time / Urime  8 Marsin me përqafime plot / Lulja më e bukur nënë më je në botë. U mendova gjatë se ç’të bëj dhuratë? / gjithë lulet e botës prapë më duken pak. / Gëzuar 8 Marsin, gëzofsh shëndet, një përqafim të ngrohtë më të bukur ç’mund të ketë?