Çizmet e shiut
Materialet: çizme llastiku, mantil i shiut, fletë të bardhë, ngjyra të drurit ose të ujit, qese apo material plastik. (çfarë i keni në shtëpi).
Aktiviteti:
Urojmë që sot të jetë ditë me shi, dhe ju ta përgaditni fëmijën tuaj me çizme llastiku dhe mantel shiu për ecjen në shi. Dilni me fëmijën tuaj jashtë, dhe nëse është duke rënë shi apo ka rënë më herët shi, lejoni fëmijën që të kënaqet duke ecur apo edhe shqelmuar nëpër gropëzat e mbledhura me ujë të shiut. Kjo është një kënaqësi e veçantë për fëmijë dhe ju bëjani të mundur fëmijës tuaj që me çizmet e llastikut pa u brengosur që do t’i lagen këmbët të kënaqet duke luajtur.
Në mungesë të ditës me shi, sot mund të punoni me fëmiun një mantel shiu. Për ta punuar atë, mund të përdorni një qese të zakonshme, të cilën e preni në formën e trapezit, dhe pastaj prindi me një gjilpërë mund të mbledh krahun e shkurtër të trapezit, për të krijuar rrethoren e qafës. Me një fjongo, apo nëse përdorni fije peri të trashë me ngjyrë, krijoni lidhësen e mantelit. Nëse nuk keni mushama, mund të përdorni çdo lloj materiali i cili mendoni se i jep mundësi fëmijës që të kuptojë se si duhet të kujdeset për t’u veshur në kohë shiu në vjeshtë.
Pasi të ktheheni, jepjani fëmijës një fletë të bardhë me ngjyra çfaredo që i keni në shtëpi, dhe kërkoni gjithashtu nga ai / ajo që t’i vizatojë dhe ngjyrosë çizmet e shiut.