Kujdesi për bimët
Materialet dhe mjetet: Një kavanoz bosh, topa pambuku, një fasule e thatë, ujë dhe një dritare ku bien rrezet e diellit.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedohet me fëmijën duke e pyetur: pse janë të rëndësishme bimët dhe lulet për jetën tonë? Pse disa lule i mbajmë brenda në shtëpi? Si duhet të kujdesemi për to? Çfarë ndodh me lulet që i mbajmë brenda nëse i lëmë në oborr në dimër? Po nëse nuk i ujisim me rregull? Çfarë na nevojitet nëse duam ta mbjellim një lule? Si mund të bëjmë shumë lule nga një lule, apo nga një bimë? Merret një kavanoz dhe fëmija e mbush me disa topa pambuku të cilët lagen paraprakisht dhe vendosen në kavanoz. Merret një kokërr fasuleje dhe vendoset në kavanoz anash me qëllim që të shihet teksa mbinë dhe rritet. Pas të vendoset edhe fara e fasules, kavanozi vendoset në një dritare ku ka rreze dielli. Për çdo ditë e vëzhgoni bashkë me fëmijën dhe komentoni se çfarë po ndodh me farën e fasules.
Sipas dëshirës, mund të provoni edhe fara të tjera dhe po ashtu të provoni edhe me perimet e përdorura që keni vendosur t’i hidhni.