Aktiviteti  “Mos u nxeh”

Sot do të luani bashkë me fëmijën lojën “Mos u nxeh”, një lojë kjo që I argëton mjaft fëmijët. Fillimisht, do të duhet të diskutoni me fëmijën se cilat janë kafshët që jetojnë në vende të nxehta. Së bashku me fëmijën të zgjidhni kafshët tuaja të preferuara që jetojnë në ato vende. Duhet t’i tregoni njëri-tjetrit përse ju pëlqejnë pikërisht ato kafshë dhe sigurisht që mund të diskutoni me fëmijën se si duhet të kujdesen për kafshët. Për të vazhduar aktivitetin ju duhen dy fleta të bardha në të cilat duhet të vizatoni kafshën tuaj të preferuar. Duhet fillimisht t’i tregoni fëmijës që duhet ta vizatojë kafshën e preferuar sa është fleta, me qëllim që të ketë sa më shumë vend për të vendosur forma gjeometrike brenda, si rreth, trekëndësh, katror apo forma të tjera nëse preferoni.  Ju nevojiten edhe dy pulla të cilat do t’i përdorni për të ecur përgjatë rrugës së ndërtuar me figura gjeometrike.

Në ndonjërën nga figurat vendosni ndalesa ku duhet të imitoni, duhet të tregoni diçka për të qeshur ju apo fëmija, duhet të shpikni ndonjë përrallë të shkurtër.

Mos u brengosni për fëmijën, ajo/ai duhet ta vizatojnë siç dinë vetë. Nëse kërkojnë ndihmë ju mund t’i mbështesni që ta përfundojnë vizatimin. Mbasi është përfunduar vizatimi , vendosni diku 10-15 forma gjeometrike brenda.

Gjithashtu, duhet të krijoni një zar/kub të vogël duke përdorur çfarëdo materiali që keni në shtëpi. Mund të përdorni karton, shishe plastike apo ndonjë kub të gatshëm të cilit I vendosni numrat në çdo faqe të tij.

Loja bëhet duke hedhur zarin, kush mbërrin I pari në fund. Ka rëndësi që ai që mbërrin i pari duhet të tregojë një tipar të kafshës së preferuar që e bëri të fitojë.