Rezultati i pritur: Fëmija përshkruan situatat kur është frikësuar dhe nga se është frikësuar.
Materialet dhe mjetet: pjata të letrës, laps, ngjyra të ujit, tela metali, brushë ngjyrash, gërshërë, ngjitës etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se nga çka frikësohet dhe pse? Tregojani ndonjë ndodhi tuajën dhe si e keni tejkaluar. Tregojini që është normale të frikësohemi, të gjithë kanë frikë nga diçka. P.sh. ka njerëz që frikësohen nga insektet, nga errësira, nga dentisti, nga rrufeja, nga kafshimi i qenit etj. Lexojani tregimin dhe komentojeni bashkë më pas.
Rea dhe merimanga e zezë
Rea kishte shumë frikë nga insektet, e posaçërisht nga merimanga. Ajo nuk donte të dilte në kopsht. Nëna e saj i fliste dhe i jepte zemër duke i thënë “Ti je e fortë, je e madhe dhe se merimanga është vetëm një insekt i vogël që nuk mund ta lëndojë Rean”.
Rea nuk e hiqte nga mendja kur ishte duke luajtur dhe një merimangë ishte ngjitur në kokën e saj. Reagimi i saj kur e kishte parë kishte qenë shumë i tmerrshëm. Ajo kishte bërtitur me sa zë që kishte dhe sa më shpejt vraponte për ndihmë. Ajo nuk guxonte ta largonte me duart e saj sepse ato këmbët merimangës sikur e pickonin. Rea tani as për të fjetur vet nuk shkonte. Mendonte se merimanga është aty dhe do të vijë prapë te Rea.
Me gjithë fjalët e nënës, Rea nuk e largonte frikën. U mendua nëna dhe i tha Reas: “Eja ta mundim frikën, por ti patjetër do të më ndihmosh”. Morën një pjatë letre, e ngjyrosën me ngjyrë të zezë dhe disa tela prej metali ia vendosën si këmbë. Tek sa e punonin shihnin edhe foto të merimangës për të parë se si duket një merimangë. Pasi e punuan, në internet morën shumë informata për merimangën. Sa më shumë që shihnin dhe flisnin, frika vinte e bëhej më e vogël. Edhe tani Rea i besonte më shumë fjalëve të nënës kur i thoshte se ajo është e madhe dhe merimanga është e vogël. Rea flet me shoqe dhe u tregon se si ta mundin frikën.