Rezultati i pritur: Fëmija tregon tregimin e tij/saj për krimbin sipas imagjinatës së tij/saj.
Materialet dhe mjetet: Rruaza druri me vrima, spango (apo fije e thjeshtë peri e trashë), shkop akulloreje apo shkop i thjeshtë druri etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën duke e pyetur: çfarë janë krimbat? Ku jetojnë dhe me çfarë ushqehen?
Lexojani tregimin për krimbin e vogël.
Krimbi i vogël
Një ditë, krimbi i vogël iu lut mamasë, të dal pak tek vrima ajër të pastër të marr. Por mamaja e tij i tha se është rrezik, qukapik sqepforti me shije të gëlltit. Mamaja e tij shumë e këshilloi, por krimbi i vogël fjalën s’ia dëgjoi. Sapo mamaja e tij u nis për të gjetur ushqim, krimbi i vogël vrik e në vrimë. O sa ju gëzua dritës, e ajrit të mirë, sa shumë miq të vegjël të lozte me ta shumë kishte dëshirë. Pa një, pa dy u nis trungut tatëpjetë, gëzimi i tij përfundoi shpejt. Qukapik sqepforti nuk ia fali dot, ai e gëlltiti pa u njohur me shokë.
Nxiteni fëmijën të tregojë sipas mënyrës së tij/saj tregimin për krimbin e vogël. Si do t’ia linte emrin krimbit të vogël? Si do të fliste me mamanë e tij? Si do ta këshillonte krimbin e vogël? Çfarë do t’i thoshte qukapikut? etj.
Merren rruaza të drurit dhe një spango kalohet nëpër dhjetë rruaza druri, por duhet siguruar që rruazat të kenë pak hapësirë lëvizëse. Në fund vendoset një rruazë më e madhe për kokën e krimbit. Tek rruaza e madhe lidhet një spango e vetme e cila do të lidhet për shkopin dhe një spango në mes të krimbit. Në kokë i vizatohen sytë dhe goja. Dhe tani me lëvizjet e dorës përcaktohet lëvizja e krimbit. Nxiteni fëmijën ta prezantojë emrin e krimbit të tij/saj dhe të rrëfejë për të ndonjë tregim.