Kutia e këshillave të miqësisë
Materialet e nevojshme: karton, letra me ngjyra, ngjitës, ngjyra druri apo të tjera që i ka në dispozicion fëmija. Mund të jetë edhe një gur nga mjedisi.
Zhvillimi i aktivitetit: E ndihmoni fëmijën fillimisht të ndërtojë një kuti e cila është si kuti e postës në të cilën çdo anëtar i familjes do të krijojë një mesazh miqësie dhe do ta hedhë në të. Mesazhi mund të jetë shkrim, mund të jetë punim i cili tregon rëndësinë e miqësisë apo diçka që duhet të bëjmë për të zënë miq, apo rregulla që rregullojnë miqësinë. Fëmija mund të përgatisë edhe një gur të cilit i vizaton një zemër.
Fëmija mund të përgatisë një zemër dhe ta hedhë në kuti. Kur të gjithë anëtarët ta kenë hedhur mesazhin e tyre, fëmija fut dorën dhe i merr një nga një dhe mundohet ta qëllojë se kush e ka përgatitur. Pastaj, personi që e ka përgatitur tregon qëllimin e mesazhit dhe mund ta shoqërojë me ndonjë ngjarje nga fëmijëria, kur është fjala për prindërit.
Po ashtu, fëmijët mund të tregojnë ndonjë shembull, p.sh. kur kanë qenë të përzemërt me dikë në këndin e lodrave, në kopsht apo edhe në mjedisin familjar. Pas çdo tregimi duhet ta lavdëroni fëmijën për tregimin si dhe këshillën.