E lumtur, e mërzitur, e zemëruar
Zhvillimi i aktivitetit: Fëmijët fillojnë t’i përjetojnë emocionet që nga momenti kur lindin – madje edhe më herët. Disa nga emocionet që përjetojnë në fillim janë stresi, habia, madje edhe zemërimi. Kjo lojë që do ta bëni sot me fëmijën tuaj do t’i ndihmojë atij/asaj të eksplorojë ndjenjat e veta.
Materialet: libër me fotografi, pjata të letrës apo karton/letër, laps.
Fillimisht vizatoni shprehje të ndryshme të fytyrës të cilat shprehin ndjenja të ndryshme si lumturia, mërzia, zemërimi, frika, etj. Këto fytyra mund t’i vizatoni në pjata të letrës ose në një karton apo letër.
Mbajeni fëmijën në prehër dhe lexojani një tregim i cili shpreh disa emocione. Kur një emocion i caktuar përmendet në libër, mbajeni përpara fytyrës tuaj pjatën e letrës që shfaqë atë emocion. Kërkoni fëmijës që edhe ai ta bëjë të njëjtën shprehje të fytyrës dhe shpjegojani se kur ndjehemi të lumtur fytyra jonë merr ketë pamje dhe buzëqeshni. Vazhdoni me tregimin duke mbajtur fytyrat e vizatuara për çdo emocion që përmendet në libër.
Në qoftë se nuk keni libër që përshkruan shumë emocione, ju mund ta krijoni vetë një tregim të thjeshtë. P.sh.: Një ditë Jeta doli për shëtitje me nënën dhe ishte shumë e lumtur. Ajo u rrëzua dhe filloj të qante sepse u frikësua…
Ju po ashtu mund ta vendosni vizatimin para fytyrës dhe të thoni ‘’jam e lumtur’’ e pastaj ta largoni fytyrën e vizatuar dhe ta bëni të njëjtën shprehje me fytyrën tuaj.