Menuja ime si ylber
Aktiviteti i sotëm lidhet me përzgjedhjen e ushqimeve të shëndetshme për fëmijën, të cilat ndikojnë në mirëqenien e tij/saj. Për këtë mund ta përdorni fletën e mëposhtme të punës me qëllim që fëmijët ta krijojnë një dietë të balancuar përgjatë kësaj jave. Është e nevojshme që fëmijët ta bëjnë përzgjedhjen e tyre në katër kategoritë e ushqimeve duke e krijuar një dietë të balancuar për shëndetin e tyre për një javë. Për këtë do të na nevojiten lapsa me ngjyra, fletë e bardhë me qëllim që ta vizatojmë ylberin e ushqimeve. Në këtë aktivitet fëmija do të ketë nevojë të ndihmohet nga prindi pasi mund të ketë produkte që fëmija nuk i njeh ose nuk mund t’i vizatojë. Fillimisht lejoni fëmijën që t’i bëjë vizatimet vetë, edhe kur nuk e njeh produktin, e ju mund ta ndihmoni duke e përshkruar atë me fjalë. Nuk ka rëndësi që vizatimi të jetë i bukur, duhet të bëhet siç di fëmija. Gjithashtu mund të përdorni foto të prera për ta plotësuar ylberin.
Ngjyra e parë është e gjelbër që prezanton frutat dhe perimet. Kërkoni që fëmija t’i përmend disa fruta të preferuara të tij. Kujtoni që ato vijnë nga pemët që janë të gjelbëra. Në shiritin e gjelbër vizatohen frutat.
Ngjyra e dytë është e verdhë që lidhet me produkte të grurit si makaronat, biskotat, buka etj. Ju mund të kërkoni prej fëmijës që ta vizatojë një fushë me grurë të pjekur. Gruri i pjekur është i verdhë. Në këtë shirit vizatohen produktet e grurit.
Ngjyra e tretë është blu që lidhet me produktet e qumështit. Pyeteni fëmijën se nga e marrim qumështin. Kërkoni prej fëmijës që ta vizatojë një lopë duke kullotur në një fushë me bar, dhe fëmija veten të shtrirë në bar duke parë qiellin. Çfarë ngjyre ka qielli? Blu. Bluja do t’i prezantojë produktet e qumështit. Tek bluja vendosen produktet e qumështit.
Ngjyra e katërt është e kuqe që lidhet me mishin. Pyesni fëmijën se çfarë ngjyre ka mishi i freskët. Sigurisht që mund të flisni për produktet e mishit të cilat i konsumon fëmija. Tek e kuqja vendosen produktet e mishit.
Ndërkohë që jeni duke e realizuar këtë aktivitet ju do të ndërtoni së bashku me fëmijën një menu javore e cila do të shkruhet në ditarin e fëmijës. Gjatë bërjes së ditarit kini kujdes që të vendosni sa më shumë ushqime të shëndetshme që lidhen me ylberin. Brenda ditës duhet të përfshihet një ushqim që i përket çdo ngjyre të ylberit që e kanë vizatuar.