Gjërat e gjalla dhe jo të gjalla
Së bashku me fëmijët, në fleta të bardha, vizatojmë një nga një gjallesa dhe jo gjallesa, për shembull:
një karrige, top, laps, lugë, tavolinë, pjatë (gjërat që nuk jetojnë) dhe lis, lule, mace, vajzë, djalë, zog, flutur (gjërat që jetojnë).
-Vizatoni dhe ngjyrosni me ngjyrat që kanë në të vërtetë në jetën e përditshme.
– Flisni me fëmijën tuaj për karakteristikat e gjërave të gjalla dhe jo të gjalla.
P.sh. Lapsi është një mjet që na ndihmon për të vizatuar. A jeton lapsi? A merr frymë? A rritet lapsi nëse e ujisim? Pra, këto janë gjëra që nuk jetojnë.
Po lulja, nëse e ujisim, a rritet? Po macja, a ha ushqim? Po pra, këto janë gjëra që jetojnë.
-Tani kërkoni nga fëmija që të ndajë në dy grupe fletët e vizatuara: në një anë fletët me gjërat që jetojnë dhe në anën tjetër të vendosë gjërat që nuk jetojnë.
-Për secilën fletë të vizatuar që e vendos, fëmija ju tregon pse e vendos aty. Kërkoni arsyetimin pse karrigia nuk jeton, apo pse fluturën e vendos te gjërat që jetojnë.
Prisni që fëmija edhe të gabojë….dëgjojeni me durim dhe fillimisht pranoni arsyetimin e tij dhe më pas nxiteni me pyetje për të kuptuar arsyetimin e saktë.