Numrat muzikorë
Për këtë aktivitet mund të përdorni karta me numrat me të cilët ju dëshironi që fëmija juaj të jetë familjar dhe çdo numër e shoqëroni me një ushqim të cilin e hanë zogjtë (grurë, misër, luledielli, fara bimësh, krimba etj). Bisedoni me fëmijët se cilët zogj hanë ushqimet që keni vendosur në karta (Ky aktivitet do të organizohej më lehtë nëse dilni në natyrë me fëmijën dhe i shpjegoni se si ushqehen zogjtë).
Pasi i keni krijuar duke i njgjyrosur ato me ngjyra të ndryshme, i shpërndani në vende të ndryshme të shtëpisë. I tregoni fëmijës që ju do të lëshoni një muzikë, dhe kur të ndaloni muzikën do të thërrisni një numër, të cilin fëmija duhet ta gjejë në mjedisin ku janë vënë numrat. Gjithashtu, ju mund të përdorni shkronjat e alfabetit. Kur e gjen, duhet të tregojë numrin apo shkronjën si dhe ushqimin për cilin zog është në kartë. Duke pasur parasysh moshën e fëmijës mund të përdorni tre deri katër lloje ushqimesh.
Ka rëndësi që gjatë lëshimit të muzikës ju të vallëzoni së bashku me fëmijën. Ky aktivitet është mjaft argëtues dhe ndihmon fëmijën të mbajë mend numrat dhe shkronjat si dhe emrat e zogjve.
Shfrytëzojeni këtë aktivitet që fëmija të kuptojë rëndësinë e kujdesit për zogjtë.
Ky aktivitet mund të organizohet edhe duke ndërtuar një fole për zogj.