Ngjyrat nëpër lodra
Sot do t’i përforcojmë ngjyrat dhe numrat bashkë me fëmijët. Ju duhen të gjitha lodrat që fëmija i ka në shtëpi, pavarësisht formës, ngjyrës, materialit, etj. Të gjitha këto lodra i vendosni në mes të dhomës apo në një kuti. Mund të vendosni edhe objekte të tjera të cilat fëmija i përdor si lodra.
Në një tas të vogël vendosni 3 deri në 5 copa letre në të cilat e keni ngjyrosur nga një top me ngjyrat bazë.
Kërkoni prej fëmijës që duke i përzier letrat ta marrë njërën prej tyre. Lejojeni ta hapë vetë letrën dhe të tregojë cila ngjyrë i ka qëlluar.
Pastaj ai/ajo do t’i gjejë të gjitha lodrat me atë ngjyrë, do t’i nxjerrë nga shporta, dhe do t’i numërojë se sa janë gjithsej. Mund edhe të tregojë se cila është më e madhe apo më e vogël…ose ku dallojnë ato nga njëra-tjetra.
Fëmija këtë e bën me të gjitha ngjyrat që janë në shportë.
Pasi të përfundojë loja, fëmija bashkë me ju i rregullon lodrat nëpër vendet e veta si dhe ambientin.