Ylberi

Materialet dhe mjetet: Ylberi me rroba apo me objekte të ndryshme.

Zhvillimi i aktivitetit: Sot fëmija do ta bëjë një ylber duke përdorur rroba me ngjyra në shtëpi, ose mund të përdorë edhe objekte të ndryshme që gjenden në shtëpi.

Fillimisht, së bashku me fëmijën vendosni se në cilin vend dëshironi ta bëni ylberin. Nëse është kohë e mirë, preferohet që ta bëni në një mjedis jashtë shtëpisë, në oborr, në ballkon apo diku ku mund ta shohin edhe të tjerët.

Së bashku me fëmijën vizatoni vijat e ylberit me qëllim që fëmija t’i vendosë objektet sipas ngjyrave të ylberit. Për çdo ngjyrë që e plotëson fëmija duhet të tregojë se çfarë ushqimesh, fruta apo perime me atë ngjyrë i pëlqejnë. Në fund, kur fëmija ta mbarojë ylberin, mund t’i plotësohet një dëshirë magjike.

Ky aktivitet mund të zëvendësohet edhe me vizatimin e ylberit apo përgatitjen e tij me copa fletësh me ngjyra.