Veshjet dhe instrumentet kombëtare
Materialet dhe mjetet: tepsi, tabak(rreth), kovë, instrumente apo veshje tradicionale nëse i keni në shtëpi.
Zhvillimi i aktivitetit: Sot para fëmijës paraqitni veshjet apo instrumentet kombëtarë, dhe nëse nuk keni veshje dhe instrumente atëherë mundohuni t’i gjeni në libra apo në ndonjë revistë për fëmijë.
Tregoni fëmijës si janë veshur gjyshërit tanë, me çfarë instrumente janë argëtuar, si janë bërë dasmat kur ata janë martuar, çfarë kënge kanë kënduar, si ishte vendi ku ata kanë kaluar kohën (oda).
Shikoni video apo foto të dasmave që i kemi bërë më parë dhe komentoni së bashku. Flisni së bashku me fëmijën për ato që janë vërejtur në video. Lejoni fëmijën të ritregojë nëse ai/ajo di për gjërat tradicionale.
Nëse në shtëpi keni veshje tradicionale, visheni sot së bashku me fëmijën. Nëse keni ndonjë instrument tradicional, si: çifteli, tupan, daulle apo def, luani me to sot. Defin mund ta zëvendësoni me një tepsi apo tabak(rreth).
Së bashku filloni ritmin me tepsi duke kënduar këngët popullore që i dini.
Lejoni fëmijën të provoje ritmin e instrumentit apo ndonjë instrument të improvizuar në shtëpi, si p.sh.: kovën si zëvendësim i tupanit, tepsinë si zëvendësim i defit.
Kënaquni sot duke kujtuar të kaluarën së bashku me fëmijën.