Qilim nga letra
Materialet dhe mjetet: letër e bardhë, letra me ngjyra, gërshërë.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se si ishin më parë tepihët, si punoheshin ata kur nuk kishte fabrika etj. Që fëmija ta kuptojë më mirë, demonstrojeni përmes punimit me letër.
Merret letra e bardhë dhe paloset në mes, nga mesi i thyer pritet me gërshërë në vija të valëzuara duke pasur kujdes që të mos pritet deri në fund. Letrat me ngjyra priten në shirita të hollë në mënyrë të barabartë. Secili shirit i letrës kalon nëpër letrën e prerë duke kaluar herë mbi njërin shirit të letrës së bardhë e herë mbi shiritin tjetër, duke krijuar kështu një thurje të bukur.
Punimi mund të përsëritet duke përzgjedhur ngjyrat e dëshiruara për kombinim dhe se sa do të jetë trashësia e shiritave dhe trashësia e prerjeve të letrës së bardhë.