Këndi i plazhit
Ky aktivitet mund të zhvillohet në dy mënyra.
Së pari prindërit duhet të diskutojnë me fëmijën për rëndësinë e diellit, jo vetëm për njeriun por edhe për gjërat e gjalla. Mund të pyesni fëmijën: – Pse duhet dielli?, dhe ta mbështesni atë me informata të cilat ajo/ai mund të mos i kenë. E nxitni fëmijën të mendojë se si mund të krijoni një kënd të plazhit në shtëpi apo në oborr.
Së bashku me fëmijën mund të mblidhni gjësende nga shtëpia dhe mjedisi përreth dhe të krijoni brenda shtëpisë apo edhe në oborr një kënd plazhi. Për këtë do të nevojitet një karrige, peshqir, tavolinë e vogël, si dhe një çadër e cila I gjendet në shtëpi çdokujt. Sigurisht që mund të përdoren sende sipas preferencës së fëmijës për ta bërë këndin sa më të përshtatshëm për një ditë rrezitjeje.
Për këtë do të duhet të ndihmoni fëmijën për të zbukuruar çadrën me forma letre të cilat mund t’i vizatojë fëmija, apo mund të prisni me gërshërë foto nga revista e gazeta të vjetra për ta bërë çadrën sa më tërheqëse, që t’i përshtatet ambientit të detit.
Gjithashtu, mund të përdoren gurë apo ndonjë legen me ujë për të improvizuar detin.
Mënyra e dytë është të ndërtojnë një poster me temë – Plazhi im. Për këtë, fëmija mund të përdorë figura dhe vizatime. Gjithashtu, mund të përdorë foto të cilat mund t’i ketë nga pushimet e mëhershme. Prindi, për shkak të moshës, mund ta mbështesë fëmijën në vizatimin e objekteve të cilat mund të mos jetë në gjendje t’i bëjë fëmija. Gjithsesi, duhet të inkurajoni fëmijën që ta punojë atë në mënyrën e vet.