Palloi i bukur

Materialet dhe mjetet: letër e bardhë, e kaltër, e verdhë dhe e gjelbër, gërshërë, ngjitës dhe dy sy lëvizës. Mund të përdoret edhe oriz, fasule e bardhë ‘dhe e kuqe, bizele.

Zhvillimi i aktivitetit: Sot do të flisni me fëmijën për palloin, që është një shpend shumë i bukur. Bishti i tij me ngjyrat e larmishme është mahnitës. Nxiteni të menduarit e fëmijës duke i treguar në internet lloje të ndryshme të tyre. Pastaj, së bashku me fëmijën do të krijoni një pallua në kushte shtëpie. Fillimisht marrim letrën e gjelbër dhe e presim në të gjithë gjerësinë. Gjerësia e shiritave është rreth një “gisht” e gjerë. Nuk ka nevojë që fëmija të jetë preciz këtu, thjesht le t’i bëjë të gjera aq sa dëshiron – madhësia mund të ndryshojë gjithmonë ndërsa fëmija është duke prerë me gërshërë. Pastaj, duke i bashkuar në fundet e tyre me ngjitës krijohen disa harqe të gjelbra si në figurën e ilustruar. Fëmija mund të zgjedhë që të bëjë bishtin edhe me ngjyra të ndryshme sipas imagjinatës apo dëshirës. Pastaj ato i ngjet në fletën e bardhë.

Me letrën e kaltër vizatojmë zogun dhe e presim me gërshërë dhe e ngjisim tek bishti. I vendosim zogut këmbët si dhe sytë.

Bishtin e palloit mund ta ndërtoni edhe duke përdorur produkte të shtëpisë, oriz, fasule të bardhë e të kuqe, bizele. Në këtë mënyrë bishti ka ngjyra të ndryshme.