Rezultati i pritur: Fëmija tregon disa situata se si është ndjerë kur e ka fshehur fajin.
Materialet dhe mjetet: Fletë e bardhë A4, laps, ngjyra etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Pyesni fëmijën se kur e ka fshehur fajin? Përse e ka fshehur? Në cilat raste është zbuluar dhe si është ndjerë?
Lexoni tregimin
Miri dhe akullorja me dredhëz
Miri kishte disa ditë që nuk e shijonte ushqimin. Nëna bëhej merak për djalin e saj dhe ç’nuk gatuante vetëm e vetëm që djali i saj të hante diçka. Miri ishte i llastuar dhe e dinte se me nazet e tij fitonte gjithmonë zemrën e nënës. Edhe kësaj here, kur nëna ia ofroi ushqimin, Miri e refuzoi. E ç’të bënte nëna nga dashuria për djalin e saj i premtoi se nëse do ta hante ushqimin do t’ia jepte akulloren e tij të pëlqyer. Miri bënte sikur e shijonte ushqimin dhe nëna nuk u durua nga gëzimi që Miri filloi të hante dhe ia solli akulloren. Nëna doli për të marrë rrobat e thara dhe Miri e shfrytëzoi këtë rast. Pa një pa dy, rrëmbeu akulloren dhe e hëngri sikur të ishte ndonjë kek. Posa i dëgjoi hapat e nënës, pjesën e mbetur e mbështolli në ambalazhin e saj. Kur hyri, nëna e pyeti se a e kishte ngrënë akulloren? Jo – i përgjigjet Miri. Por, kishte harruar ta pastronte gojën e tij.
Ti ke bërë dy herë faj – i tha nëna . Ke gënjyer nënën dhe se ke mbajtur fjalën. Duke gënjyer do ta humbësh besimin dhe askush nuk do të të besojë edhe nëse e thua të vërtetën.
Miri dridhej nga turpi dhe zëri i ngeci në fyt.
Komentojeni së bashku me fëmijën dhe pyeteni se si do të kishte vepruar po të ishte në vendin e Mirit. A do ta mashtronte nënën? A e meriton nëna të gënjehet? etj.
Sipas këtij tregimi, fëmija vizaton atë çfarë i ka lënë përshtypje më shumë, duke e prezantuar punimin e tij edhe para familjarëve të tjerë apo shokëve dhe shoqeve.