“Unë shoh trupin tim”
Materialet dhe mjetet: pasqyrë, tempera apo keçap
Zhvillimi i aktivitetit: Për aktivitetin e sotëm përdoreni çfarëdo pasqyre që keni në shtëpi. Qëllimi kryesor është të flasim për trupin tonë dhe karakteristikat që kemi. Merrni pasqyrën dhe duke bashkëbiseduar me fëmijën, p.sh. duke i thënë “Çfarë shihni?”, filloni t’i identifikoni pjesët e trupit tuaj duke bërë krahasime. Ju si prind duhet të thoni: “Unë shoh fytyrën time, e kam të rrumbullakët dhe të madhe”. Pastaj lejoni fëmijën të shohë veten në pasqyrë dhe ta përshkruajë veten. Le ta krahasojë veten me ju. Për shembull: “Unë jam më i vogël kurse ti je më e madhe, unë kam flokë ngjyrë kafe kurse ti ke flokë të zeza, unë kam sy të kaltër si qielli por edhe ti i ke të njëjtë”. Flisni për ngjashmëritë me anëtarët tjerë të familjes, p.sh.: “Hundën e ke si të babait dhe flokët si të hallës”, e kështu ia lejoni fëmijës hapësirën që të krahashojë veten me ndonjë anëtar të shtëpisë të cilit i ngjan. Lejoni fëmijën ta përshkruajë veten dhe të bëjë shkarravina në pasqyrë duke vizatuar trupin e vet me gishtin tregues me ngjyra tempera, nëse keni në shtëpi, apo duke përdorur keçapin.