Lulja e shtëpisë

Fëmija duhet të ndërtojë një lule apo pemë me objektet e shtëpisë. 

Aktiviteti i sotëm kërkon që fëmija të jetë sa më spontan,  kreativ  dhe artistik, me qëllim të krijimit të një punimi i cili duhet të realizohet vetëm me sende të shtëpisë. Fëmija duhet të bëjë një lule me gjësendet  që ai/ajo gjen në shtëpi. Për këtë aktivitet mund të përdoren peshqirë, lugë, pjata të vogla si dhe çdo gjë që fëmija mendon që mund ta ndihmojë për të krijuar një lule ose një pemë.

Për ta stimuluar fëmijën fillimisht prindi mund ti tregojë cilat janë pjesët e një lule apo peme. Do të ishte e preferuar që ti lexoni një tregim apo ti tregoni ndonjë përrallë e cila ilustron pjesët e lules apo pemës. Sigurohuni që fëmija e ka kuptuar se cilat janë pjesët e lules dhe i tregoni që gjatë kohës që do të përzgjedhë sendet në shtëpi do të ketë edhe mbështetjen tuaj nëse i duhet.  Është mirë që gjatë mbledhjes së gjësendeve të mblidhen sa më shumë objekte që gjenden në shtëpi, në mënyrë që punimi të jetë sa më i larmishëm.

Dëgjoni së bashku një këngë gjatë kohës së përzgjedhjes së gjësendeve në shtëpi. Gjatë kohës së ndërtimit të punimit, pyeteni fëmijën për ngjyrat, kërkoni të numërojë pjesët që po përdor, si dhe nxiteni me pyetje mbi të kuptuarin më e madhe- më e vogël, përpara- mbrapa etj.  

Në fund ju mund të bëni një fotografi të fëmijës me punim, që të mund ta ndaj me shokët/shoqet apo të afërmit.