Lodrat e mia në piknik
Lojrat dramatike në ambientin e jashtëm janë zbavitëse sepse fëmijët janë më të shpenguar nga ambienti i brendshëm dhe nga lojrat e organizuara nga të rriturit. Atyre u pëlqen që ta organizojnë lojën sipas dëshirës së tyre, të bëjnë atë që e dëshirojnë, t’i vendosin rregullat e tyre, ta rregullojnë ambientin ashtu siç duan.
Një aktivitet i tillë ua jep mundësinë që ta zhvillojnë komunikimin, kreativitetin, vetëbesimin se mund të jenë udhëheqës të lojës. Nëse luan edhe me ndonjë fëmijë tjetër është një mundësi e mirë për bashkëpunim gjatë ndarjes së roleve dhe punëve, etj.
Aktiviteti zhvillohet në natyrë. Mjafton një litar i cili duhet të lidhet në dy drunj në mënyrë që të vendoset mbi të një batanije e hollë, apo ndonjë qarqaf duke e kapur për litar me kapëse për tharjen e rrobave. Në tokë shtrohet ndonjë çilim, batanije e trashë apo ndonjë shilte.
Fëmija në shportën e tij/saj të piknikut i merr lodrat e tij/saj me të cilat dëshiron të luajë në piknik. Rrjedha e lojës udhëhiqet nga vet fëmija.