Libri i luleve
Fëmijët mësojnë përmes ndërveprimit të drejtpërdrejt me natyrën. Duke prekur objekte dhe duke manipuluar me to, fëmijët e ndjejnë gëzimin e të mësuarit për gjëra të reja. Ata/ato i njohin gjethet, lulet, por duke i mbledhur ato, aq lloje sa janë në mjedisin e fëmijës ai/ajo do të kënaqet me shumëllojshmërinë e formave, të madhësive, ngjyrave, trajtave në prekje (kjo gjethe është më e lëmuar, kjo lule është më e lartë se kjo tjetra, etj).
Dilni në natyrë me fëmijën, nxiteni që t’i shikojë drunjët dhe bimët e ulëta. Kërkoni nga ai/ajo që t’i marrë gjethet dhe lulet (Kujdes lulet në parqe! – bisedoni se parku është i të gjithëve dhe të gjithë duhet të kujdesemi për të.)
Pasi të grumbullohen gjethet dhe lulet, kërkoni nga fëmija që t’i përshkruajë ato (p.sh.kjo e ka formën e yllit, kjo gjethe është në formë zemre, kjo lule ka kurorë me disa lule të vogla, etj.). Bisedoni se nga lulet përgatisim barna ose ilaçe. Tregoni për emërtimet e tyre nëse i dini, për ndonjë lule së cilës ia njihni vetitë kuruese (bashkëbisedim interesant për fëmijën pa qëllimin që ai/ajo duhet t’i njohë vetitë kuruese të luleve).
Veprimtaria praktike: Merret një libër i trashë. Lulet dhe gjethet vendosen në mes letrave të kuzhinës me qëllim që të mos e lëshojnë ngjyrën e tyre në libër dhe futen nëpër faqe të librit që të shtypen. Pas disa orëve kontrollohen lulet dhe gjethet se sa janë shtypur. Vendosini nëpër letra të bardha duke i vendosur më pas në folie najloni që të ruhen më gjatë si një kujtimi i bukur.
Pasi të sistemohen lulet në fleta pune lidhini ato dhe emërtojeni librin si “Libri i luleve”- le të jetë kjo si një nismë për krijimin e librave në të ardhmen, qoftë me vizatime të bëra nga fëmija, qoftë duke mbledhur fotografi të ndryshme për tema të ndryshme në bazë të interesimit të cilin e shpreh fëmija.