Foleja e zogut
Materialet dhe mjetet: letër me ngjyra ose tekstil me ngjyra, pjatë plastike apo e letrës, gërshërë, ngjitës si dhe fije peri të leshtë me ngjyrë kafe apo edhe ndonjë ngjyrë tjetër. Për këtë aktivitet mund të përdorni pupla, ose me fletë i përgatisni krahët e zogut.
Zhvillimi i aktivitetit: Sot do të krijoni së bashku me fëmijën një fole të zogut, në të cilën do të vendosni një ose më shumë zogj të cilët do t’i punojë fëmija. Fillimisht mund të flisni me fëmijën se çfarë lloje të zogjve ka në natyrë. Ju si prind e ndihmoni fëmijën me lloje të reja të zogjve që fëmija mund të mos i njohë. Për t’i ilustruar llojet e ndryshme të zogjve mund të përdorni edhe video nga Youtube apo të shikoni foto nga librat që mund t’ju gjenden në shtëpi. Pastaj kërkoni nga fëmija që të zgjedhë një ose dy ngjyra të preferuara për të përgatitur trupin e zogut. Fillimisht fëmija vizaton dy rrathë të cilët i pret me gërshërë dhe i ngjet me njëri-tjetrin. Për t’i bërë sytë mund të përdorni formën e gatshme si në figurë, ose mund t’i vizatojë fëmija me laps të zi. Më pas, një formë rombi vizatohet në letër dhe pritet me gërshërë për ta bërë hundën e zogut. Në fund i ngjiten pendët, ndërsa në mungesë të tyre mund të pritet një letër katrore dhe paloset si harmonikë, dhe i ngjitet tek krahët. Fëmija mund të përgatisë sa zogj të dëshirojë.
Më pas përgatitet foleja. Për të mund të përdoret një pjatë e plastikës të cilën mund ta ndani në dy pjesë, ose e pritni një fletë në formën e folesë. Aty ngjiten fijet e perit të leshtë, ose fëmija mund të përdorë edhe kashta të holla të cilat vendosen në vendin e folesë. Në fole më në fund vendosen zogjtë e punuar. Ky punim mund të ruhet në një pjesë të dukshme të shtëpisë, pasi është mjaft i bukur. Gjatë kohës së punimit prindi e ndihmon fëmijën për të kuptuar se si zogjtë përgatisin folenë në pranverë.