Kubi i emocioneve
Në një kuti të vogël të dhuratave, vendosni në faqet e saj figura të emocioneve. Përdorni figura të emocioneve bazë, siç janë: gëzimi, habia, zemërimi, frika. Kërkoni nga fëmija që ta rrotullojë kubin dhe kur kubi të ndalojë, fëmija:
– Le ta imitojë emocionin që ka qëlluar,
– Le të provojë të tregojë çfarë e shkakton atë emocion.
– Luani bashkë me fëmijën edhe ju duke imituar emocionin që ju qëllon dhe tregoni çka e shkakton atë emocion.
– Luajeni lojën deri sa t’i qëllojnë të gjitha figurat e emocioneve.
– Ju mund ta zhvilloni këtë lojë edhe duke i vizatuar disa kapakë të shisheve me emocionet bazë dhe pastaj fëmijët i hedhin në figurën e njëjtë sikur në foton djathtas.
Pas çdo emocioni ju mund ta luani edhe lojën e frymëmarrjes: për këtë lojë, ju nevojitet një lule me erë të mirë [ose diçka që ka erë të mirë dhe që fëmijës i pëlqen] në njërën dorë dhe një fluturake në dorën tjetër. I themi fëmijës që t’i marrë erë lules sa më ngadalë dhe pastaj të kthehet nga ana tjetër dhe ta fryjë fluturaken duke nxjerrë ajrin nga goja [fluturaken mund ta shikoni si bëhet në këtë video me poshte.] Ju mund ta prisni edhe një qese plastike në fije të holla dhe fijet do të duken sikur fluturojnë kur i fryni ato.
Kjo është teknikë shumë e mirë për t’u relaksuar të cilën ju së bashku me fëmijët mund ta përsërisni disa herë brenda ditës, sa herë që ju dhe fëmijët ndjeni ngarkesë emocionale.