Kokëkashta dhe korbi

Materialet dhe mjetet: Ilustrime të kokëkashtes dhe korbit, rroba të vjetra, fije peri.

Aktiviteti:

Për t’ia lehtësuar fëmijës ta njohë rëndësinë e kokëkashtës për arat e mbjellura me misër dhe korbin, ju sot do t’i lexoni tregimin e shkurtër të shënuar më poshtë dhe do t’ju tregoni ilustrimet.

Një kokëkashtë të cilën e kishin vendosur në mes të arës me misër po ndihej shumë e vetmuar dhe po kërkonte shoqëri. Andej pari kaloi një korb dhe kokëkashta kur e pa e ftoi të afrohej për të biseduar sepse kishte kohë të gjatë që ishte e vetmuar. Ajo e përshëndeti korbin me mirësjellje “Mirëdita korb i zi!”, por korbi nuk ia ktheu përshëndetjen sepse ai nuk kërkonte shoqëri por donte ta hante misrin. Kokëkashta kur pa se korbi filloi ta hante misrin me vete mendoi që miqësi me të nuk mund të bëjë, prandaj ajo korbit iu drejtua “Largohu nga këtu, o korb i zi, se unë këtu kam shtëpi, dhe shtëpinë time unë e mbroj nga ti dhe të tjerët që e sulmojnë”. 

Gjatë leximit të tregimit fëmijës bëjini pyetje si: Çka është kokëkashta?; Si duket?; Pse vendoset në mes të arës?; Kush frikësohet nga kokëkashta?; Si duket korbi?; Çka i pëlqen të hajë?; Cili po të pëlqen më shumë, korbi apo kokëkashta?; etj.

Sipas dëshirës, fëmija mund të maskohet me rroba të vjetra, kapelë dhe fije peri në kokë, dhe ta luajë rolin e kokëkashtës duke i përsëritur fjalët nga tregimi.