Kalendari im

Materialet dhe mjetet: karton, kapëse të rrobave dhe ngjyra.

Zhvillimi i aktivitetit: Sot me fëmijën do t’i punoni ditët e vitit që kanë mbetur për vitin 2020.

Prindër të dashur, është e rëndësishme të flisni me fëmijën tuaj për mbarimin e vitit dhe fillimin e një viti të ri. Duke ia shpjeguar fëmijës tuaj që jemi në ditët e fundit të vitit 2020, filloni ta bëni këtë aktivitet i cili do t’i ndihmojë fëmijës ta ketë më të qartë edhe sa ditë afrohet Viti i Ri. Çdo fëmijë e pret me padurim Festën e Vitit të Ri dhe prandaj ky aktivitet do të jetë shumë i mirëpritur për ta.

Për këtë lojë përdoren letra të thjeshta apo kartonë të prerë si katrorë në të cilët shënohen ditët e javës me datat që kanë mbetur deri në fund të vitit (data 31 dhjetor). Kartelat punohen me fleta apo karton që keni në shtëpi, zbukurohen dhe ngjyrosen sipas ideve që ka fëmija juaj, kapen me kapëse për tharjen e rrobave apo edhe me ngjitës, duke i vendosur në një vend si kalendari i fëmijës suaj.

Bisedoni me fëmijën për ditët e javës. Këtë e bëni me qëllim që fëmija t’i mësojë ditët e javës, dhe pastaj radhitni ditët sipas datave, së bashku me fëmijën tuaj. Kërkoni nga fëmija që t’i thotë ditët e javës teksa ju i ndihmoni. Tregoni fëmijës se në mbrëmje, kur të ikë dita, para se të biem në gjumë do të largojmë datën që ishte sot, dhe së bashku do t’i numëroni ditët që po mbesin. Lejoni fëmijën që të rrëfejë ditën që iku dhe të tregojë se sa afër është Viti i Ri.