“Unë kam dy sy”

Materialet dhe mjetet: gota, laps, ngjyrë.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën për pjesët e trupit, cilat janë nga dy, p.sh., janë dy duar, dy këmbë, dy sy.

Së bashku me fëmijën, përgatisni dy gota plastike apo dy kartonë të letrave të tualetit dhe punoni bashkë me fëmijën dylbi për të shikuar në ambient jashtë në natyrë. Ju mjaftojnë dy gota plastike dhe hapni vrima sa për të shikuar nga ato vrima, ndërsa dy gotat sikur në foto i bashkoni me një ngjitës apo duke i lidhur mes vete me ndonjë shirit që e keni në shtëpi. Po ashtu, nëse nuk keni gota plastike, kartonët e letrave të tualetit janë shumë praktikë për këtë aktivitet dhe duke vepruar njëjtë i bashkoni në mes për të krijuar dylbi. Përdorni dylbitë që fëmija të shikojë nga dritarja ambientin dhe mbyllni sytë duke kërkuar nga fëmija juaj që t’ua përshkruajë atë që sheh në natyrë. I thoni fëmijës: “Më trego çka po sheh? Ka shumë shtëpi apo shumë drunj? Ka pemë apo ka makina shumë?”, dhe kërkoni detaje sa më shumë në mënyrë që fëmija të ushtrojë aftësitë përshkruese sa më shumë. Ndërroni më pas rolet duke kaluar tek një dritare tjetër. Fëmija mbyll sytë me shall dhe ju me dylbi tregoni pamjen që shihni, dhe kërkoni që fëmija juaj të imagjinojë në mendje pamjet që ju i përshkruani. Më pas vizatoni bashkë atë që i treguat njëri-tjetrit dhe shkoni në dritare duke i krahasuar për të parë nëse keni arritur t’i vizatoni gjërat që kishit dëgjuar nga njëri-tjetri.

Fëmija ftohet që të krijojë numrin dy me ngjyra apo me material që keni në shtëpi (mund të përdorni fletën e punës gjithashtu).