Iriqi dhe mollët
Rezultati i pritur: Fëmija modelon iriqin me mollë
Materialet dhe mjetet: Patate, kruese dhëmbësh, plastelinë.
Zhvillimi i aktivitetit: Merret patatja dhe prindi apo kujdestari e pret përgjysmë. Fëmija merr krueset e dhëmbëve dhe i ngulit në patate për të imituar gjembat e iriqit. Është mirë që krueset të ndahen në gjysmë dhe pjesa e mprehtë të lihet jashtë. Pas vendosjes së krueseve–gjemba, fëmija, me plastelinë të kuqe, të gjelbër etj., modelon katër molla dhe secilën mollë nga një largësi e pozitës ulur e hedh mbi shpinën e iriqit. Pas hedhjes së mollëve mbi gjemba, fëmija numëron sa molla janë kapur mbi shpinën e iriqit dhe sa mollë kanë rënë në tokë.
Sa herë qëllon në gjemba mollën, brohorisim së bashku “Urraaa!”, sa herë që nuk e qëllon, e nxisim ta provojë edhe një herë. Fëmijët shumë shpejt dëshpërohen nëse nuk e qëllojnë asnjëherë shënjestrën. Në këto raste ndani emocionet me fëmijën tuaj duke i thënë: “Pse po ndihesh kështu? Loja është për argëtim dhe ne e kemi qëllim argëtimin, e provojmë përsëri derisa e qëllojmë, eja bashkë!”.
Nxiteni fëmijën të thurë tregimin për iriqin dhe mollët sipas imagjinatës së tij/saj.