Flamuri kuq e zi
Materialet dhe mjetet: piper, çaj i zi, fletë e bardhë, laps.
Zhvillimi i aktivitetit: Sot së bashku me fëmijën do të ngjyrosni flamurin me ngjyra në kushte shtëpie. Mund të merrni një fletë të bardhë dhe së bashku me fëmijën të vizatoni një shqiponjë ashtu si dini.
Merrni pak piper të kuq dhe treteni në ujë që të formohet ngjyra e kuqe, dhe kjo do të jetë shumë interesante për fëmijën pasi do ta shohë që gjërat e ndryshme në kuzhinë mund të na shërbejnë si mjete për aktivitete. Edhe keçapi është një ngjyrë e mirë e kuqe dhe mund ta nxisni fëmijën të fillojë me gishtin tregues për ta ngjyrosur hapësirën e flamurit.
Pastaj formoni ngjitësin duke përzier ujë me sheqer, që ju shërben si ngjitës nëse nuk keni ngjitës të lëngët në shtëpi, ndërsa çajin e zi të pazier e përdorni për ta formësuar shqiponjën.
Tregoni fëmijëve se para disa vitesh flamurin e qëndisi një vajzë e quajtur Marigona dhe ia dhuroi Ismajl Qemalit, e ai e ngriti atë në një qytet të Shqipërisë, në Vlorë. Mendoni me fëmijën se kujt do t’ia dhuroni flamurin që e keni punuar. Gjyshit, gjyshes apo dikujt tjetër të vjetër që e keni në familje?