Rezultati i pritur: Fëmija pret me gërshërë thonjtë nga letra duke respektuar vijën harkore të thoit
Materialet dhe mjetet: letra me ngjyra, gërshërë, laps etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën duke e pyetur: Përse është i domosdoshëm pastrimi i duarve? Si duhen pastruar? Me çfarë duhet pastruar? Pse duhen prerë thonjtë?
Lexojani fëmijës poezinë “Sa të bukura duart”.
Sa të bukura duart, / kur ato i pastroj / me shampo dhe ujë / mikrobet i largoj. /
Nuk përtoj, / nuk harroj / / duart t’i pastroj /.
Por, thonjtë e mi ende s’di t’i pres, / sepse mami im më thotë, / duhet pasur shumë kujdes.
Në një fletë me ngjyra kopjohet dora e fëmijës të cilën fëmija e pret me gërshërë. Prindi apo kujdestari i vizaton disa copëza nga letra në formë të thonjve që të jenë në masë me dorën-letër të përgatitur. Fëmija i ngjet copat e letrës me ngjitës për secilin gisht të punimit. Me gërshërë i pret thonjtë e letrës duke iu dhënë formë harkore. Nën kujdesin e prindit apo kujdestarit mund të provohet edhe më prerëse thonjsh.