Flamuri kuq e zi

Materialet dhe mjetet: flamuri kombëtar (nëse është në shtëpi), letër me ngjyrë të kuqe apo të bardhë, letra kuzhine me ngjyrë të zezë, laps, ngjitës, ngjyra etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën për flamurin duke e marrë atë në dorë (apo nëse nuk e keni shikoni fotografi me flamurin kombëtar) e duke e pyetur: Çfarë është ky që e kam në duar? (apo çfarë është ky në fotografi?) Çfarë forme ka flamuri? Çfarë ngjyre ka? Çfarë ka në mes të flamurit? Ku e shohim? Kur e shohim më shumë?

Ky është flamuri ynë kombëtar dhe Festa e Flamurit është më 28 Nëntor. Këtë festë të madhe të gjithë shqiptarët kudo që janë e festojnë me këngë e valle, zbukurohen sheshe e shkolla etj.

Prindi apo kujdestari/-ja ligjor/e kopjon flamurin me shqiponjë në fletën me ngjyrë të kuqe (në mungesë të fletës së kuqe mund të merret edhe fletë e bardhë A4 dhe të ngjyroset me ngjyrë të kuqe).

Fëmija merr letra kuzhine me ngjyrë të zezë, i grimcon dhe i ndrydh me gishta me qëllim që të marrin formën e kokrrave. Në hapësirat e vizatimit të shqiponjës vihet ngjitës letre dhe më pas mbushet sipërfaqja e shqiponjës me kokrrat e punuara nga letra. Është me rëndësi që të respektohen vijat dhe që kokrrat të jenë të madhësisë së njëjtë.

Sipërfaqja e shqiponjës mund të mbushet me materiale të ndryshme sipas dëshirës.

 

 

 

 

Është mirë të dëgjohet në sfond kënga e flamurit.

https://www.youtube.com/watch?v=I676tE8oa_0

Shkarkoni fletën e punës KËTU.