Çfarë figura mund të bëj me gjurmë të duarve
Materialet dhe mjetet: Fleta të bardha A4, ngjyra temper (apo ngjyra të ujit), enë e sheshtë për të mbajtur ngjyrën.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën për fotografitë e dhëna. Pyeteni: çfarë sheh në këto figura? Në çfarë pozite është dora tek secila figurë? Çfarë ngjyra duhet përdorur për të figurat e dhëna? Pasi të vendosim gjurmën në fletë, çfarë duhet plotësuar që të fitojmë gjurmën e gjirafës? Po të elefantëve, peshkut, pulave, fazanit?
Pasi fëmija të përshkruajë se si mund të punohen figurat e dhëna, kërkoni atij/asaj që të përzgjedhë një model për ta punuar.
Merret fleta e bardhë A4, përgatitet ngjyra e duhur për figurën e përzgjedhur dhe, para se të fillojë punën, fëmija pyetet: si do ta fillosh? Çfarë do të bësh në fillim? Nga duhet ta vendosësh dorën me ngjyrë? Fëmija përshkruan me fjalë të tij/saj se çfarë duhet të bëjë në fillim dhe pas vendosjes së gjurmës në fletën A4, pyetet prapë: çfarë do të bësh tani? etj.
Pas tharjes së pikturës, fëmija e përshkruan pikturën e tij/saj duke treguar se çfarë ka pikturuar, si e ka pikturuar dhe se çfarë pëlqen më shumë te piktura e tij/saj.