Përralla “Pëllumbat që vizitojnë fëmijët”
Materialet dhe mjetet: Thërrime buke
Përralla: Pëllumbat, ndonëse janë shpezë shumë të bukura, zgjedhin me shumë kujdes se cilët fëmijë do t’i vizitojnë. Kështu, Arti ishte shumë i lumtur që ata e vizitonin çdo mëngjes tek dritarja e dhomës së tij dhe gjithmonë me shokët dhe shoqet bisedonin se sa pëllumba e kishin vizituar dritaren e dhomës së tyre dhe si i kanë ushqyer.
Një ditë, prindërit e Artit kërkuan që tash e tutje duhet të kujdeset vetë për dhomën e tij dhe ai pranoi. Ndonëse ky premtim nuk zgjati, sepse nuk u deshën shumë ditë që dhoma e Artit të kthehet në një rrëmujë të vërtetë, e të nesërmen në mëngjes pëllumbat u frikësuan nga rrëmuja në dhomën e Artit dhe u larguan. Arti u mërzit shumë, por nuk e kuptoi pse ata u larguan. Kur Arti u takua me shoqërinë e tij, ju tha çka ka ndodhur, që pëllumbat nuk po e vizitojnë më. Ata të gjithë u shprehën se pëllumbat kanë shkuar në dritaret e tyre dhe se i kanë ushqyer.
Arti u çudit dhe u mërzit shumë, nuk mund ta kuptonte se pse pëllumbat nuk po e vizitojnë më atë, kështu shkoi tek prindërit dhe shprehu shqetësimin e tij, e ata e kuptuan për rrëmujën në dhomën e tij kështu që i treguan që pëllumbat frikësohen nga rrëmuja dhe se ata janë frikësuar nga dhoma e tij, prandaj edhe kanë fluturuar të trembur. Arti u mërzit shumë që nuk kishte kryer detyrat e tij siç kishin kërkuar prindërit, kështu që menjëherë e pastroi dhe rregulloi dhomën dhe fjeti gjumë duke lënë në dritare disa thërrime buke.
Të nesërmen në mëngjes, Arti u zgjua nga zhurma e bukur që pëllumbat bënin tek dritarja e dhomës së tij. Shumë i lumtur nga vizita e pëllumbave, ai vendosi që detyrat që i takojnë atij tash e tutje t’i kryente me rregull. Pas përrallës, merrni edhe ju thërrimet e bukës dhe vendosni tek dritarja, duke e nxitur fëmijën për t’i ushqyer pëllumbat dhe në të njëjtën kohë për të mbajtur dhomën e rregulluar.