Loja e preferuar
Zhvillimi i aktivitetit: Ndoshta deri tani nuk e keni provuar dhe ju kuptojmë. Jeni druajtur se fëmijët mund të sëmuren nga papastërtitë që mund t’i ketë dheu.
Tani është koha për ta lejuar fëmijën që të provojë të luajë me dhe. Ne ju sigurojmë që është nga lojrat më të preferuara për të gjithë fëmijët – e dini se fëmijët kanë nevojë të marrin edhe ca mikrobe sepse vetëm kështu sfidohet dhe fuqizohet sistemi i tyre imunitar.
Pra sot, kur të dilni jashtë në natyrë, lejojeni fëmijën t’i zhysë duart e tij/saj në dhe e ta ndjejë atë në duart e gishtat e tij/saj. Lejojeni të manipulojë me dheun dhe lodrat që ka. Mund t’i hidhni edhe pak ujë e të bëhet baltë. Ju kujdesuni që të mos e fusë në gojë, përndryshe le të bëhet pis, le të luajë, le ta hedhë e të bëjë çkado që i duket interesant.
Nëse nuk do të dilni jashtë, ju mund të mbushni një tas apo legen të vogël me dhe, fëmija juaj do të çuditet, do të provojë të kuptojë çka është dhe do të luajë edhe me lodrat e tjera e do të kënaqet. Ju mund të fshihni edhe lodra të vogla në tasin me dhe, ndërsa fëmija juaj do t’i gjejë. ?