Shokët dhe shoqet e mia

Materiale e nevojshme: Ngjyra uji, shishe plastike boshe, apo karton.

Zhvillimi i aktivitetit: Sot fëmija do të krijojë zinxhirin e shokëve dhe shoqeve që dëshiron t’i ketë në të. Për t’i krijuar figurat e vogla, prindi mund ta përgatisë formën e parë dhe pastaj fëmija përdor modelin për t’i krijuar të tjerat. Modeli mund të realizohet në letër, por mund të bëhet edhe me shishe plastike, duke i prerë sipas formës së parë. Pasi të ketë krijuar disa prej tyre, fëmija mund të këshillohet që t’i dallojë shokët e shoqet përmes ngjyrave, p.sh. cili është më i dashur, kush është më i gjalli, kush tregon më bukur etj. Fëmija mund ta shkruajë shkronjën e parë të emrit.

Pastaj të gjitha figurat lidhen me njëra-tjetrën, duke krijuar zinxhirin e miqësisë. Është shumë e rëndësishme që gjatë aktivitetit të flisni me fëmijën se çfarë i bën të veçanta figurat të cilat ka zgjedhur fëmija. Ndërkohë, gjithashtu pyesni fëmijën se çfarë ka bërë për secilin shok e shoqe kur kanë qenë së bashku.