Loja “Para shtëpisë sime”
Materialet dhe mjetet: Lule të ndryshme plastike, nga letra apo materiale të ndryshme.
Zhvillimi i aktivitetit: Merren lule të ndryshme dhe shpërndahen në një vend me hapësirë ku fëmija mund të lëvizë lirshëm rreth luleve. Flisni me fëmijën duke e pyetur: çfarë feste ishte 8 Marsi? Çka dhurohet më shumë për këtë festë? etj.
Këndohet : Para shtëpisë sime dielli ka ndriçuar / lulet ngritën kokën dhe më ftuan mua. / shpejt e shpejt i mblodha, shpejt e shpejt i mblodha nënës ia dhurova. (prindi apo kujdestari ia lexon vargjet e lojës muzikore fëmijës dhe së bashku vendosin se në çfarë melodie do ta këndojnë këngën derisa t’i mbledhin lulet).
Pasi të vendoset për melodinë, së bashku me fëmijën përsëritet disa herë me qëllim që mbledhja e luleve të shoqërohet me këngën.
Loja luhet kështu: fëmija sillet rreth kopshtit duke kënduar “para shtëpisë sime, dielli ka ndriçuar, lulet ngritën kokën dhe më ftuan mua” (dy herë këndohen këto vargje), dhe derisa këndohet “shpejt e shpejt i mblodha, shpejt e shpejt i mblodha” (vargjet këndohen me ritëm të shpejtë), fëmija nxiton t’i mbledhë lulet për aq kohë sa përfundon fjala “i mblodha”. Fëmija i mbledh lulet dhe ia dërgon personit/personave që janë duke luajtur. Prindi apo kujdestari pranon lulet duke e falënderuar fëmijën për lulet. Fëmija i merr lulet nga prindi apo kujdestari dhe i numëron. Nëse janë më pak se tetë lule, pyetet fëmija: edhe sa lule duhen që të jenë tetë lule? Apo nëse fëmija merr më shumë se tetë lule, pyetet: sa lule ke marrë më shumë se tetë?