Portokalli

Zhvillimi i aktivitetit: Sot me fëmijën do të flisni për ajrin. Sigurisht kjo është një temë e vështirë për t’ia shpjeguar fëmijës, por për këtë do të përdorim një portokall apo mandarinë. Shpjegoni se ajri është kudo në mjedisin ku ne jetojmë, madje edhe rreth planetit! Edhe pse nuk mund ta shohim ajrin, ai është aty! Për ta ndihmuar të kuptuarit e fëmijës, vendosni një portokall apo mandarinë përball fëmijës.

Tregoni portokallin dhe pyesni: Çfarë ka brenda saj? Nga e di ti që ka portokall brenda? Ne nuk mund ta shohim frutën! Kështu ndodh edhe me ajrin. Paraprakisht do të ishte mirë që prindi ta presë lëkurën e frutës me thikë në mënyrë që fëmija ta ketë të lehtë ta qërojë portokallin pasi t’i keni diskutuar pyetjet e mësipërme. Kur të ketë qëruar portokallin, kërkoni nga fëmija që të marrë frymë dhe ta mbajë për pak, pastaj ta lirojë atë. Përsëri e pyesni fëmijën se çfarë ndodhi kur mori frymë, dhe çfarë ndodhi kur e nxori atë. Fëmijët e kësaj moshe thonë që morën frymë. Ky është një koncept i rëndësishëm për fëmijën, për t’i njohur objektet të cilat nuk arrijmë t’i shohim. Në fund, fëmija e han portokallin i cili është një frutë me vitamina, sidomos me vitaminën C.